Vëllaznimi i Gjakovës po frymon shumë më ndryshe me strategun tetovar në krye, Xhengis Rexhepi. Skuadra “kuqezi” nga Gjakova, një ndër më të njohurat në futbollin kosovar, sezonin e ri në Ligën e Parë e ka nisur jashtëzakonisht mirë, duke regjistruar 5 fitore dhe 1 barazim në 6 xhirot e para, shkruan “infOSport.mk”.
Vëllaznimi e nisi me një goleadë sezonin e ri, duke mundur Feronikelin në ndeshjen e xhiros së parë me rezultatin 4:2. Pasoi fitorja në transfertë ndaj 2 Korrikut (2:0), për të lëshuar pikët e plota ndaj Istogut.
Pikërisht barazimi 1:1 në këtë ndeshje mund të llogaritet si mos sukses për ekipin gjakovar, që më pas arriti të lidh tre fitore të njëpasnjëshme, edhe atë kundër Prizrenit (3:1) në transfertë, kundër Trepçës (2:1) në shtëpi dhe së fundmi kundër Ramiz Sadikut (1:0) në Prishtinë.
Fitorja e fundit u arrit të shtunën, ndërsa sot trajneri Xhengis Rexhepi do të ketë për detyrë që të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj një skuadre tjetër mjaft të njohur në futbollin kosovar, Trepça ’89.
Bazuar në formën momentale, por edhe rendtitjen aktuale, Vëllaznimi llogaritet si favorit, megjithatë ndeshjet mes këtyre dy skuadrave gjithnjë kanë qenë shumë të paqarta dhe që gjithnjë kanë zgjuar interesim të madh.
Ashtu pritet të jetë edhe sot në Gjakovë, aty ku nga ora 15:00 pritet që të dy skuadrat të dhurojnë spektakël.
Me fitore eventuale, Vëllaznimi i Xhengis Rexhepit do të dëshmonte se për momentin është skuadra më serioze për një rikthim të mundshëm në elitën e futbollit kosovar, aty ku kjo skuadër tashmë po mungon që nga sezoni 2017/2018.
Kujtojmë, këto dy skuadra në vitin 2019-të ishin takuar në balotazh për inkuadrim/mbetje në Superligën e Kosovës.
Atë kohë Trepça ’89 kishte shënuar fitore 4:2, duke ruajtur statusin e skuadrës elitare, derisa Vëllaznimi kishte humbur mundësinë për tu rikthyer në mesin e më të mirëve.
Tashmë, Vëllaznimi ka rastin për tu hakmarrë ndaj skuadrës nga Mitrovica, pasi një fitore eventuale, vërtetë do ti bënte ata ndër kandidatët më serioz për një rikthim në Superligë, edhe atë pas plotë 8 viteve (2026).
