Tentojnë të korruptojnë portierin, anulohet ndeshja në Suedi

Një rast shumë i bujshëm na vjen sot nga Suedia, ku persona ende të paidentifikuar kanë kontaktuar një futbollist të AIK-ut, duke i ofruar para dhe më pas duke e kërcënuar që të ndikojë në humbjen e AIK-ut kundër Goteborgut.

Drejtori sportiv i Goteborgut, Mat Gren, deklaroi sot paradite se futbollisti i kontaktuar dhe kërcënuar ishte portieri i AIK-ut, 20-vjeçari Oskar Liner, por më pas kërkoi ndjesë dhe e tërhoqi deklaratën e tij, pas reagimit të ashpër të AIK-ut, federatës suedeze dhe policisë, që kanë kërkuar ruajtjen e sekretit.

Ndeshja, në plan për sot pasdite, është shtyrë me urdhër të federatës suedeze, pas denoncimit të futbollistit të përfshirë në këtë histori.

Sekretari i përgjithshëm i federatës suedeze, Hakan Sjostrand, lidhur me rastin në fjalë është shprehur: “Nuk bëhet fjalë për një ndeshje të vetme, është një sulm ndaj futbollit suedez. Ne nuk do ta pranojmë kurrë, kurrë, dhe është e rëndësishme që të veprojmë me dorë të hekurt. Pikënisja për gjithë ndeshjet tona është që ato të jenë të sigurta dhe të vendosura në bazë të aspektit sportiv”.

Leave a Reply