Pse Medjedoviç, Çollak dhe portieri Avdyli nuk udhëtuan në Slloveni? (FOTO)

Shkëndija tani që 8 ditë me rradhë po qëndron në Moravske Toplice të Sllovenisë, ku vijon fazën përgatitore para eliminatoreve për Liga Europa, mirëpo pjesë e këtyre përgatitjeve nuk është dyshja boshnjako-kroate Dino Medjedoviç – Jure Çollak, si dhe portieri kosovar, Ilir Avdyli, i cili u paralajmërua si pasardhës i Marko Jovanovskit në portën e skuadrës tetovare.

Edhe pse ky i fundit nuk është prezantuar ende nga drejtuesit e Shkëndijës, thuajse është e sigurtë se do të jetë pjesë e nënkampionëve të Maqedonisë për sezonin e ri, mirëpo jo edhe për ndeshjet eliminatore në kuadër të Liga Evropa.

Me shumë gjasa pjesë e tyre nuk do të jenë edhe kroatët Medjedoviç dhe Çollak, të cilët nuk bindën me kualitetet e tyre gjatë edicionit të sapo përfunduar.

QATIP OSMANI NUK LLOGARIT NË TRESHEN BOSHNJAKO-KROATE!

Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja pse kjo dyshe nuk udhëtoi drejt Sllovenisë me grupin tjetër, mirëpo ajo që vështirëson punën e drejtuesve “kuqezinjë” është fakti se të dy janë nën kontratë me Shkëndijën dhe një ndarje me këto dy futbollistë do i kushtonte financiarisht skuadrës tetovare.

Boshnjako-austriaku Dino Medjedoviç dhe kroato-gjermani, Jure Çollak kanë kontratë deri në verën e vitit 2018-të me Shkëndijën, dhe mbetet për tu parë se cili do të jetë vendimi i drejtuesve të skuadrës tetovare, edhe pse thuhet se Qatip Osmani me shumë gjasa nuk do të llogaritë në shërbimet e tyre dhe se ka kërkuar nga ana e drejtuesve të tij për të angazhuar futbollistë të rinj në repartin e mbrojtjes dhe atë ofenziv.

Njërën prej dëshirave të Osmanit drejtuesit e Shkëndijës e  plotësuan që gjatë ditës së premte kur firmosën kontratë me qendërmbrojtësin e  Tiranës, Olsi Teqja, ndërsa pritet që ditëve në vijim të konfirmohet edhe një mbrojtës tjetër, me të cilin do ishte formuar ajo dyshe e fundit para portierit, i cili me shumë gjasa në garat evropiane do të jetë Kostadin Zahov, që është pjesë e përgatitjeve në Slloveni.

Sa i përket portierit kosovar, Ilir Avdylit, ai do të duhet të bind trajnerin Qatip Osmani, vetëm pasi ti bashkohet skuadrës, edhe pse mendohet se ish portieri i Llapit me Shkëndijën do të firmos kontratë tre vjeçare.

ILIR AVDYLI, GARDIANI I RI I SHKËNDIJËS

Leave a Reply