Nga Daçia kanë frikë prej dyshes, Hasani-Ibraimi

Dyshja Ferhan Hasani – Besart Ibraimi, pa dyshim se janë dyshja nga e cila duhet të frikësohet secili kundërshtarë i Shkëndijës. Kjo dyshe vitin e kaluar shkëlqeu në ndeshjet e Liga Evropa, duke udhëhequr Shkëndijën drejt atij suksesi historik për skuadrën tetovare, e cila sot e para nis aventurën evropiane nga skuadrat nga Maqedonia në kuadër të eliminatoreve të Liga Evropa.

Kundërshtar i “kuqezinjëve” nga Tetova është skuadra moldave e Daçias, të cilët potencuan rrezikun që vjen nga kjo dyshe, e cila sot pritet që të udhëheq Shkëndijën drejt një suksesi tjetër në arenën ndërkombëtare.

“Ferhan Hasanin dhe Besart Ibraimin unë vite më parë kam dashur ti kem te skuadra e Daçias. Ata janë futbollistë të shkëlqyeshëm. Vërtetë jam i befasuar që ata janë sot te Shkëndija dhe natyrisht që janë një ndër pikat më të forta të kësaj skuadre, kam shumë respekt për ta” – tha pronari Adlan Shishkhanov, i cili nga ana e moldavëve u paraqit si ndihmës trajner i Daçias.

Dyshja Hasani – Ibraimi ishte më e merituara për suksesin e Shkëndijës vitin e kaluar në Liga Evropa, kur kjo skuadër arriti deri në fazën e “play-off”, kur u eliminua nga belgët e Gent. Goleadori Besart Ibraimi në 8 ndeshje realizoi 4 gola, ndërkohë kapiteni Ferhan Hasani regjistroi dy gola dhe dy asiste.

Leave a Reply