Guardiola brenda 1 dekade, 1 miliardë euro shpenzime

998 milionë euro të shpenzuara në 10 vjet, edhe atë jo për llogarinë e tij por për klubet në të cilat ka punuar.

Është ky Pep Guardiola, i cili ka drejtuar tre nga klubet më të pasura të planetit, fillimisht Barcelonën dhe më pas Bajern Munih dhe tashmë aktualisht, Mançester Sitin.

Një mal me para që do të mjaftonte për të blerë dy apo tre klube të njohura europiane. Aspekti i vetëm pozitiv është fakti se pas largimit të tij, Guardiola lë një pasuri të madhe në klubet ku ka punuar, sektorin e të rinjve tërësisht të ristrukturuar dhe të gatshëm për të prodhuar talente të kalibrit botëror.

Në klubet që ka drejtuar, trajneri spanjoll ka kërkuar përherë sakrifica të mëdha ekonomike nga drejtuesit dhe në shumicën e rasteve, presidentët ia kanë plotësuar dëshirat.

I fundit në radhën e shpenzimeve marramendëse është mbrojtësi i krahut të majtë Benxhamin Mendy të cilin e shkëputi nga Monako për një shumë rekord prej 57 milionë euro, kur janë në pyetje futbollistët e repartit të mbrojtjes.

Rekordin e deritanishëm e mbante, sërish një blerje tjetër e Guardiolas, po te Mançester Siti, Xhon Stons, i cili verën e shkuar te Siti kishte ardhur nga Evertoni për një shumë prej 55 milion euro.

Ndryshe Siti me Guardiolan në krye gjatë kësaj vere ka shpeenzuar në total 138 milionë euro vetëm për mbrojtjen pasi me skuadrën janë bashkuar edhe Uaker dhe Danilo.

Gati një miliardë Euro që prej vitit 2008 dhe deri më sot nga të cilat 240 milionë të shpenzuara nga Mançester Siti vetëm gjatë kësaj merkatoje.

Po të kthehemi pas në kohë, te Barcelona vetëm në vitin e parë Guardiola shpenzoi 96 milionë Euro për të afruar Dani Alvesh e Keita.

Në total, si trajner i Sitit, Pep ka arritur të shpenzojë 453 milionë, pothuajse dyfishin e shpenzimeve që ka bërë me Barcelonën dhe Bajernin pasi te “katalunasit” i shkëputi klubit 341 milionë, ndërsa në Bavari nuk e kaloi kufirin e 203 milionëve.

Në klasifikimin e përgjithshëm të blerjeve më të shtrenjta vendin e parë e mban Zlatan Ibrahimoviç me rreth 70 milionë euro, i ndjekur nga Mendi, Stons, Uaker, Sane, Silva, Vilja, Ederson, Gotze dhe Vidal që mbyll klasifikimin me 37 milionë.

Leave a Reply