Trakai mund Shkëndijën që ndeshjen e mbylli me 9 futbollistë (VIDEO)

Shkëndija ka pësuar disfatën e parë edicionin e sivjetshëm në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Liga Evropa, pasi sot u mundën në transfertën ndaj lituanezëve të Trakai me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Vendasit kaluan në epërsi vetëm pas 60 sekondave jo të plota me anë të qendër sulmuesit të tyre, Makim Maksimov.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e tifozëve vendas, mirëpo për fat të mirë nuk ndikoi negativisht te futbollistët e Shkëndijës, të cilët me kalimin e kohës konsoliduan rradhët e tyre, madje duke marrë nën kontroll ndeshjen.

“Kuqezinjtë” ishin shumë afër barazimit mirëpo shtylla e Armend Alimit në një çast u mohoi golin atyre, i cili erdhi 5 minuta para fundit të pjesës së parë me autorë brazilianin, Zhunior.

Ky i fundit mjaft mirë pranoi një asist të shkëlqyer nga ana e kapitenit Hasani, ndërsa në manirin e golashënuesve të mëdhenj, duke i ikur edhe portierit arriti që të barazojë shifrat në 1:1.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë Maksimov, edhe njëherë tjetër arriti që të mposht portierin, Zahov.

Ishte Bejtullai ai i cili nuk reagoi mirë para futbollistëve kundërshtarë, kur pas një krosimi perfekt të Dorlej nga e majta, Maksimov, me kokë edhe për herë të dytë mposhti portierin e Shkëndijës.

Pas këtij goli pasuan dy kartonë të kuq për futbollistët tetovarë, ku i pari në minutën e 57-të ishte më se i merituar për brazilianin Zhunior, teksa Cuculi pas një starti nga mbrapa ndaj mesfushorit Shyshka në minutën e 62-të, u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë.

Mirëpo edhe përkundër epërsisë së madhe numerike në fushë, Trakai nuk arriti që të shënojë edhe golin e tretë, ndërsa Shkëndija shpreson shumë për të përmbysur këtë rezultat në ndeshjen e kthimit në Strumicë që është në program pas një jave, duke siguruar në këtë mënyrë një vend për në fazën e “play-off”.

Leave a Reply