Radeski i Shkëndijës beson në sukses edhe ndaj Italisë

Sulmuesi i Shkëndijës, Marjan Radeski që bënë pjesë në mesin e futbollistëve të ftuar nga ana e seleksionuesit Igor Angellovski për ndeshjet e rradhës eliminatore kundër Italisë dhe Lihtenshtejnit, shprehet shumë optimist, duke potencuar se Maqedonia me pak më shumë fat se nga ndeshja e parë e zhvilluar në Shkup ndaj “axurrëve”, mund të befasojë kombëtaren italiane.

Ai është i vetëdijshëm për kualitetet që posedon skuadra e trajnerit Ventura, për të cilën thotë se ka mbrojtjen ndoshta më të mirë në Botë.

“Me padurim e prisnim këtë grumbullim me përfaqësuesen e Maqedonisë. Nuk jemi mbledhur këtu sikur të jemi në ekskurzion, por që të arrijmë rezultate pozitive ndaj Italisë dhe Lihtenshtejnit. Na pret një përballje ndaj një kundërshtari që ka ndoshta mbrojtjen më të mirë në Botë, mirëpo mund të them se edhe ne kemi sulmues mjaft të mirë, ndërsa një gjë të tillë dëshmuam në ndeshjen e parë në Shkup. Në atë ndeshje fati nuk ishte me ne, mirëpo kësaj rradhe në Torino shpresoj që të jetë në anën tonë dhe se do arrijmë një rezultat pozitiv” – tha Radeski në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë.

Ndeshja Itali – Maqedoni në program është me datë 06 tetor në stadiumin “Olimpiko” në Torino dhe e njëjta starton në ora 20:45.

Leave a Reply