Presidenti i mundjes Botërore, Laloviç i kënaqur me punën e Betim Vrenezit

Kryetari i federatës së Mundjes në Maqedoni, Betim Vrenezi dhe nënkryetari i këtij institucioni Dejan Bogdanov disa ditë më parë takuan presidentin e mundjes Botërore, Nenad Laloviç. Në takimin me numrin 1 të mundjes, Vrenezi dhe Bogdanovi biseduan rreth organizimit të Kampionatit Botëror për veteran, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Shkup si dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

“Në moment të parë, nga biseda që e bëmë me Vrenezin dhe Bogdanovin, jam mëse i kënaqur. Më gëzon edhe fakti që ka të bëjë me shlyerjen e borxheve të tyre drejt nesh, e për shkak të cilave federata juaj ishte e pezulluar plotë gjashtë muaj gjatë vitit të shkuar. Kanë bërë edhe disa punë mjaft të sukseshme, falë të cilave ne kishim besimin dhe ua dhamë mundësinë që vitin e ardhshëm të organizojnë një eveniment të madh, siç është Kampionati Botëror për veteranë. Dua të them që pas tyre duhet të qëndrojnë jo vetëm njerëzit e federatës, por edhe Komiteti Olimpik dhe thjeshtë I gjithë shteti”, ka thënë Laloviç në një intervistë me gazetarin sportiv të TVM-2, Mustafa Ademi, pas takimit me krerët e FBM-së.

Ai më tej ka folur edhe për Kampionatin Botëror për kadetë që do të mbahet në vitin 2019, për të cilin në mesin e kandidatëve është edhe Federata e Maqedonisë.

“Maqedonia është kandidat serioz për të organizuar këtë eveniment. Por, deri vitin e ardhshëm presim të kandidojnë edhe vende tjera, si edhe për çdo organizim tjetër, ku është konkurencë e madhe, gjë që na gëzon neve, pasi në të kaluarën, një gjë e këtillë nuk ka ndodhur. Organizimini i një eventi të këtillë, kushton shumë në aspekt finansiar, por shpresoj që ata do të fitojnë të drejtën të organizojnë ndonjë kampionat edhe vitin 2019, duke përkujtuar që për këtë vendos Komiteti Qendror dhe jo vetëm unë si kryetar”, është shprehur numri 1 i mundjes Botërore.

Leave a Reply