Më në fund buzëqesh Juventus Serava

Ndryshimet e bëra së fundmi në organet drejtuese të Juventus Seravës kanë dhënë edhe frytet e para. Skuadra “bardhezi” në ndeshjen e saj të 8-të gjatë këtij edicioni në elitën e futsalit vendor ka gjetur edhe fitoren e parë, duke mundur SEE Universitetin e Tetovës me rezultatin 5:3, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo një super ndeshje në të cilën ekipi shkupjan fitoren e siguroi gjatë pjesës së dytë, e cila ishte edhe shumë më efikase se pjesa e parë, që u mbyll me rezultatin e barabartë 1:1.

Ishin mysafirët ata të cilët të parët avansuan në këtë ndeshje, për t’iu kundërpërgjigjur atyre Reshat Ali, që si duket e kishte natën e tij, pasi deri në fund të takimit arriti që të shënojë edhe dy gola të tjerë, duke rrumbullaksuar në këtë mënyrë “hat-trikun” e parë të këtij sezoni.

Golin e parë për epërsinë e parë në pjesën e dytë për Juventus Serava e realizoi Besnik Trstena, ndërkohë nuk vonoi shumë dhe Jakup Ramadani realizoi edhe golin e tretë.

Reshat Ali doli sërish në skenë, kësaj rradhe duke shënuar golin e katërt për epërsinë më të lartë të Juventus Seravës në këtë ndeshje prej 3 golash (4:1), teksa mysafirët shumë shpejtë reaguan duke kthyer shpresat me dy gola të shpejtë për rezultat 4:3, transmeton “infOSport.mk”.

Mirëpo që gjërat të vijnë në vendin e duhur sërish u përkujdes Reshat Ali, i cili në momentet e fundit të ndeshjes realizoi edhe golin  e tij të tretë personal dhe të pestin për Juventus Seravën, që në xhiron e 9-të arriti që të gjejë fitoren e parë në edicionin e sivjetshëm të Ligës së Parë në Futsal.

Leave a Reply