Desniq respekton Shkupin, por beson në fitoren e Skopjes

Skopje apo Shkupi? Kush prej këtyre dy skuadrave do të sundojë me kryeqendrën tonë gjatë ditës së sotme, kur neve shqiptarët festojmë edhe ditën e Alfabetit.

Që të dy këto skuadra shkupjane me të njëjtin emër do të përballen njëra me tjetrën në stadiumin në lagjen e “Hekuranës”, ndërsa mbetet të shihet se cila prej këtyre dy skuadrave në fund do ti gëzohet fitores.

Sulmuesi i skuadrës vendase, Dario Desniq, shprehet optimist dhe thotë se skuadra e tij do të luaj për të fituar këtë derbi lokal.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, para së gjithash një ndeshje e fortë. E respektojmë ekipin kundërshtar, që ka një skuadër të shkëlqyeshme, mirëpo ne kemi imperativ fitoren, ashtu që nesër shkojmë për fitore” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Dario Desniq.

Ai shanset e skuadrës së tij i sheh përmes kundërzbritjeve, ndërsa rrezikun nga ndërprerjet.

“Shanset tona i shoh tek kundërzbritjet dhe gjysmë kundërzbritjet, ndërsa nga ana tjetër rreziku mund të na vie nga ndërprerjet” – përfundoi Desniq, një sulmues i cili më parë kishte qenë edhe pjesë e FC Shkupit.

Ndeshja Skopje – Shkupi që do të zhvillohet në stadiumin në lagjen e Hekuranës starton në ora 13:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri Marjan Gocevski nga Strumica, të cilit do ti ndihmojnë dy arbitrat kumanovar, Martin Petkovski dhe Bojan Andevski.

Leave a Reply