Selta Vigo ndali Barcelonën (VIDEO)

Barcelona ka barazuar 2:2 ndaj Selta Vigos në ndeshjen e javës së 14-të, duke ngjitur dy barazime të njëpasnjëshme pas atij javën e kaluar ndaj Valencias në “Mestalja”, njofton “infOSport.mk”.

Mysafirët nga Vigo falë golit të shënuar nga Aspas në minutën e 20-të avansuan të parët në këtë ndeshje, duke shtangur tifozët në “Kamp Nou”, mirëpo kundërpërgjigja e “katalunasve” erdhi shumë shpejtë, pasi vetëm dy minuta më pas Lionel Messi barazoi shifrat në 1:1. Ishte ky goli i parë i yllit argjentinas pas 3 ndeshjeve agjërim.

Me dy gola, nga një në secilën anë u mbyll pjesa e parë, teksa një gol i Luis Suarez në minutën e 62-të për herë të parë bëri që Barcelona të avansojë në këtë ndeshje.

Megjithatë mysafirët nuk u dorëzuan dhe vazhduan me lojën e tyre të mirë të shfaqur sot në “Kamp Nou”, ku si rezultat në minutën e 70-të erdhi edhe goli i barazimit me anë të Gomez. Selta Vigo u kanos sërish, mirëpo Ter Shtegen me një intervenim bravuroz shpëtoi skuadrën e tij, teksa në sekondat e fundit të ndeshjes, Messi nga gjuajtja e lirë, goditi vetëm njëri nga futbollistët mysafir që ndodheshin në murin e gjallë, duke mos arritur që të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të fitores.

Është ky barazimi i tretë për Barcelonën, që vazhdon të kryesojë renditjen me 36 pikë, 5 më shumë se Valencia që nesër do të zhvillojë ndeshjen e saj të javës së 14-të kundër Getafes në transfertë.

Leave a Reply