Vardari po braktiset, Shkëndija po “qeniset”

Shkëndija gati për ti dhënë fund dominimit të Vardarit në elitën e futbollit vendor. Skuadra nga Tetova u shpallë kampione e vjeshtës, ndërsa është në rrugë të mirë që këtë epitet të ruajë edhe pas përfundimit të sezonit aktual 2017/2018.

Largimet e rëndësishme te rivali i përbetuar, Vardari, e bëjnë rrugën e Shkëndijës më të lehtë në këtë drejtim. Një nga futbollistët kryesor të “kuqezinjëve” shkupjan, Boban Nikolov u largua drejt Videotonit hungarez, Besir Demiri vendosi të vazhdojë karrierën në Ukrainë, teksa drejt largimit janë edhe Dare Velkovski dhe Visar Musliu. Janë këto katër emra të futbollistëve, që ishin ndër bartësit kryesor te përfaqësuesja U21 e Maqedonisë, e cila shkroi historinë gjatë vitit të kaluar, duke luajtur në Kampionatin Europian për të rinj në Poloni.

Nëse këtyre emrave ua shtojmë edhe dyshen e larguar që në fillim të kësaj merkatoje, Italo dhe Xhigauri, i bie që “kuqezinjtë” nuk janë më ajo skuadër e gjysmësezonit të parë, kur sërish mbetën 8 pikë larg Shkëndijës.

Mungesa e tyre me siguri që do të vërehet shumë, ndërsa pritet që Shkëndija të shfrytëzojë një gjë të tillë, madje edhe të thellojë epërsinë e pikëve dhe pas plotë 7 viteve të rikthejë titullin në Tetovë dhe ti thotë “STOP” dominimit të Vardarit, që tre vite me rradhë po shpallet kampion i Maqedonisë.

Rikujtojmë Shkëndija titullin e vetëm kampion në futbollin vendor e kishte fituar në sezonin 2010/2011 nën drejtimin e Qatip Osmanit, ndërsa si duket ka ardhur koha që sërish nën drejtimin e mjeshtërit, QATO, ashtu siç preferojnë ta quajnë shumica e tifozëve tetovarë, Shkëndija të shpallet kampion, duke i bërë me dije rivalit të saj të madh se po vjen “era” “kuqezinjëve” nga Tetova, qytet ky i vetëm që po i bënë ballë Shkupit kur janë në pyetje titujt kampion.

Përveç Shkëndijës, një sezon më herët (2009/2010), kishte qenë Renova, ajo që ishte shpallur kampione e Maqedonisë, ndërsa në 8 vitet tjera, duke nisur nga sezoni 2007/2008 kishin dominuar skuadrat shkupjane, me në krye Vardarin me 5 tituj kampion, Rabotniçkin, dy tituj dhe Makedonija Gjorçe Petrovin, me një titull.

Mbetet të shihet nëse Shkëndija me Qaton dhe kompaninë gjigande që ka pas vetes, “Ecolog” do të fillojë të “qenis” titujt me rradhë dhe dalë nga dalë ti afrohet skuadrës së Vardarit.

Leave a Reply