Vetëm 3 sulmues janë para Ikardit që kanë kaluar 100 gola në moshën 25-vjeçare

Mauro Ikardi po kalon një formë të shkëlqyeshme me fanellën e Interit në “Serie A”. Sulmuesi “zikaltër” në vazhdimësi po shënon, ndërsa formën e tij të mirë e konfirmoi edhe në fundjavë në ndeshjen në transfertë ndaj  Sampdorias, kur shënoi 4 gola në fitoren 0:5. Në këtë mënyrë ai arriti në kuotën e 103 golave të shënuar në “Serie A”, dhe sipas përllogaritjeve të “Gazzeta Dello Sport”, është ndër më rezultativët në moshën e tij mes atyre që kanë spikatur në kampionatet kryesore në Europë.

Në moshën 25-vjeçare, vetëm 3 sulmues kanë shënuar më shumë se ai në 5 kampionatet elitare në Europë. Mesi (169 gola), Aguero (109) dhe Runi (107) janë ata që kanë bërë më mirë se sa sulmuesi i Interit në të njëjtën moshë.

Gjithsesi, ai mund të ngushëllohet me faktin se për momentin ka lënë pas dy golashënues të mirëfilltë si Higuain (98) dhe Ronaldo (97), të cilët në moshën e tij nuk e kishin arritur ende kuotën e 100 golave në kampionat.

Leave a Reply