Allegri dhe Arteta kandidatët kryesor për stolin e Arsenalit

Strategu italian, Masimiliano Allegri dhe ai spanjoll, Mikel Arteta janë dy kandidatët kryesorë për të pasuar Arsen Vengerin në stolin e Arsenalit.

Duket se do të jetë një zgjedhje e matur mirë nga “topçinjtë”, sepse duhet të emërojnë trajner të ri pas mbretërimit 22-vjeçar të strategut francez në “Emirates”, të cilit i vjen fundi më 13 maj, pas ndeshjes së fundit të Premierligë.

Trajneri i Juventusit, Allegri, mbetet kryesuesi i listës për trajner të Arsenalit, teksa bisedimet e planifikuara pritet të nisin javët e ardhshme.

“Goal.com” kupton se Allegri ishte në Londër, pak para dy javësh, dhe mbetet i etur për të kërkuar një sfidë të re jashtë vendit.

Trajneri italian, i cili më parë ka zbuluar dëshirën e tij për të drejtuar një skuadër në  Angli, po ecën sigurtë drejt titullit të katërt kampion në Seria A, si trajner i Juventusit, ndërsa ka, gjithashtu, mundësinë për të fituar një trofe të katërt, atë të Kupës së Italisë, kur “Zonja e Vjetër” do të përballet me Milanin në finale, të mërkurën.

Ndërsa Allegri mbetet zgjedhja e preferuar e shumicës së bordit drejtues të Arsenalit, ish-kapiteni i “topçinjve”, Mikel Arteta, është gjithashtu shumë i favorizuar nga shefi ekzekutiv, Ivan Gazidis.

Arteta ka qenë ndihmëstrajner i Pep Guardiolës te Mançester Siti, që kur u pensionua si futbollist tek Arsenali, në vitin 2016-të. Ai gjithashtu po konsiderohet si një kandidat serioz për të zëvendësuar Vengerin.

“Unë nuk jam njeriu i duhur për të folur për këtë, sepse mendimi im për Mikel është i madh, – tha Guardiola, kur u pyet kohët e fundit nga gazetarët.

“Ai meriton më të mirën. Ne jemi kaq të rehatshëm, që punojmë me të. Mikel është një nga arsyet për suksesin tonë, këtë sezon. Ka shumë emra për trajnerin e ardhshëm të Arsenalit. Unë nuk i di cilat janë planet e tyre, por e njoh Mikelin shumë mirë dhe ai meriton gjithçka që dëshiron” – u shpreh Guardiola.

Përveç Allegrit dhe Artetas, një emër tjetër që përmendet si trajner i mundshëm i Arsenalit, është edhe ai i ish trajnerit të Barcelonës, Luis Enrike, i cili për të marrë postin e numrit një te skuadra e njohur angleze kishte kërkuar të ketë në disponim 200 milion euro, për të bërë përzgjedhjen e futbollistëve të rinj, të cilët do dëshironte ti ketë në skuadër.

Leave a Reply