Shkaku i vizave kjo skuadër rrezikon të largohet nga Liga Europa

Skuadra ruse e FC Ufa ka njoftuar se do të marrë së shpejti nëse do të duhet të humbasë me rezultat zyrtar ndeshjen e Liga Europës ndaj ekipit skocez Gllazgou Renxhers, për shkak të dështimit të sigurimit të vizave për t’u futur në Mbretëri të Bashkuar.

Skuadra skoceze, që njëherit ishte kundërshtarë i FC Shkupit në raundin e parë eliminatorë të Liga Europa, do të përballet me UFA-n në fazën “play-off”, ndërsa skuadra fituese do të kalojë në fazën e grupeve të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian.

Ndeshja e parë do të luhet në “Ibroks Stadium” në Gllazgou të enjten dhe kjo ka hapur telashe të mëdha për ekipin rus, që është për herë të parë në garat evropiane, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Për shkak të periudhës së shkurtër nga ndeshja e fundit në Luksemburg ndaj Progres Niederkornit, skuadra ruse nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të sigurojë viza britanike për të gjithë lojtarët me proces normal.

Krerët e klubit rus po shpresojnë që aplikimi i tyre të shqyrtohet me urgjencë, por kanë pranuar se mund të mos realizohet kjo.

Javën e kaluar, çiklistit rus Igor Frolov iu pamundësua pjesëmarrja në Kampionatin Europian në Gllazgou, pasi nuk pati mjaftueshëm kohë për të siguruar vizën britanike.

Dhe Spartak Moska nuk ishte në gjendje të dërgonte skuadrën e të rinjve në turneun “Milk Cup” në Irlandë të Veriut këtë verë për shkak të kufizimeve të reja për viza.

UFA shpreson që ambasada britanike në Moskë të shqyrtojë me urgjencë aplikimin.

Leave a Reply