Shkëndija me 4 mungesa ndaj Kozhuvit

Shkëndija gjatë ditës së sotme do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të Kupës së Maqedonisë kundër Kozhuvit në Gjevgjeli, njofton “infOSport.mk”.

Është kjo ndeshja e fundit e 1/16 së finales, në të cilën skuadra e trajnerit Qatip Osmani futet si favoritë i madh, ndërsa njëkohësisht edhe si fitues aktual i Kupës së Maqedonisë, kur sezonin e kaluar në finalen e madhe të Strumicës mundi Pelisterin me rezultatin 3:0.

Trajneri Osmani për këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Mevlan Muratit, i cili vazhdon të ankohet në lëndim të natyrës më të lehtë dhe stafi teknik duke dashur të shmangë çdo rrezik e ka lënë atë jashtë kombinimit për sfidën e sotme në Gjevgjeli, ndërsa gjithashtu nuk do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e dyshes së talentuar, Arbin Zejnullait dhe Shefit Shefitit, të cilët ishin pjesë e ndeshjes së mbrëmshme të Kombëtares shpresa të Shqipërisë ndaj Italisë.

Për shkak dokumentacionit jo të plotë, të drejtë loje për këtë ndeshje nuk do të ketë edhe Samir Fazli, i cili skuadrës tetovare iu bashkua vetëm ditën e fundit të merkatos verore.

Mirëpo probleme me futbollistë të lënduar apo të suspenduar nuk ka vetëm Osmani, pasi edhe trajneri Vase Bekarov i Kozhuvit, i cili nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e titullarit Niki Zumrovskit përshkak kartonit të kuq, ndërsa gjithashtu në dyshime shumë të mëdha është edhe dyshja Damjan Ivanovski dhe Hristijan Bejkov të cilët ankohen në lëndime.

Leave a Reply