Ibra më afër Milanit, mirëpo nuk mjafton vetëm ai, kuqezinjtë sytë nga Çelzi

Ashtu si po afrohet merkatoja e janarit, drejtuesit e Milanit aq më shumë po mendojnë për afrimet e reja në skuadër.

Deri më tani, vetëm Lukas Paketa është një blerje e sigurtë, të cilën e konfirmoi dhe Gatuzo në konferencën për shtyp për gazetarë pas fitores 5:2 kundër Dudelanzh.

Në sulm, Ibrahimoviç është mëse i mirëpritur, por ai dhe braziliani nuk mjaftojnë për një skuadër, që është mbuluar nga dëmtimet.

Me Musakion, Romanjolin dhe Kaldaran jashtë, në janar ‘kuqezinjtë’ e kanë detyrim blerjen e një mbrojtësi qëndre, për t’iu bashkuar Kristian Zapatas.

Favoriti kryesor është Andreas Kristensen, 22-vjeçari danez i Çelzit, i cili me ardhjen e Sarrit nuk po arrinë dot të gjejë hapësira në formacionin bazë të skuadrës londineze. Megjithatë Kristensen nuk është emri i vetëm nga rradhët e skuadrës së Çelzit, pasi milanezët po shohin si mundësi edhe mbrojtësin anglez, Gari Kehill si dhe mesfushorin spanjoll, Cesk Fabregas.

Ky i fundit do t’i siguronte Xhenaro Gatuzos cilësi dhe përvojë në mesfushë, ku siç u pa me Dudelanzh, futbollistë si Haliloviç dhe Bertolaçi nuk ofrojnë siguri.

Spanjolli është i pëlqyer prej kohësh në ambientin ‘kuqezi’, që në kohën kur merkaton e udhëhiqte Adriano Galliani, e më pas Fassone me Mirabellin.

Problemi më i madh për të marrë Fabregas, mbetet rroga e lojtarit, i cili merr 8 milionë euro në sezon, por gjithsesi ka mundësi të zgjidhet.

Ndërkohë, përsa i përket Ibrahimoviç, në mediat italiane flitet se mund të ketë një përshpejtim të tratativës në ditët e ardhshme.

Zlatan dëshiron vetëm rikthimin në Milano, ndërkohë vendimi përfundimtar i përket Leonardos.

Leave a Reply