Kupa e Mbretit, Levante e Bardhit mund Barcelonën (VIDEO)

Levante ka bërë një surprizë të madhe në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në kuadër të Kupës së Mbretit, duke mundur liderin aktual në La Liga, Barcelonën, njofton ‘infOSport.mk’. Skuadra e Enis Bardhit shënoi fitore 2:1, mirëpo pa shkupjanin në formacion, i cili ishte lënë i lirë nga ana e trajnerit Pako Lopez. I lirë në anën tjetër ishte lënë edhe Lionel Messi, si dhe Luis Suarez, ndërsa mungesa e këtyre dy të fundit u vërejt te formacioni i Barcelonës, që zhvilloi një ndër ndeshjet më të dobëta të këtij sezonit.

Levante ishte skuadra më e mirë në fushë, ashtu që meritonin madje të mbyllnin ndeshjen me një rezultat më të thellë.

Skuadra e Bardhit avansoi me dy gola të shpejtë të shënuar nga Erik Kabako (4’) dhe Borha Majoral (18’), ndërsa në vazhdim të ndeshjes shpërdoruan edhe shumë raste tjera shënimi.

Jasper Silesen ishte një hero i vërtetë në portën e ‘katalunasve’, duke shpëtuar në shumë raste skuadrën e tij nga turpi.

Barcelona zhgënjeu totalisht në këtë ndeshje, duke krijuar shumë pak raste për gol. Megjithatë atyre u buzëqeshu fati 5 minuta para fundit të takimit, kur Filipe Kutinjo nga pika e bardhë e përfituar nga ana e Denis Suarez arriti që të ngushtojë rezultatin në 2:1, transmeton ‘infOSport.mk’.

Ndeshja e kthimit që do përcaktojë se cila prej këtyre dy skuadrave do të udhëtojë për në çerekfinale do të zhvillohet javën që vjen, ndërsa thuajse me një këmbë kualifikimin ka siguruar Sevilja që sonte në ‘San Mamesh’ me rezultatin 3:1 mundi Atletik Bilbaon. Në ndeshjen e fundit të mbrëmjes së sotme Betisi dhe Real Sociedadi i Adnan Januzajt barazuan pa gola.

Leave a Reply