Sejdini: LFK Kërçovë vendos për kandidaturën time për president të FFM-së

Presidenti i ri në Federatën e Futbollit të Maqedonisë do të zgjidhet me 17 mars të muajit të ardhshëm. Deri më tani nuk ka ende asnjë kandidat që do të pretendojë pozitën e të parit të futbollit në vendin tonë, ndërsa 25 shkurti është data e fundit që kandidatët mund t’i dorëzojnë kandidaturat e tyre.

“Çdo Lidhje Komunale e futbollit mund të propozon kandidatin e mundshëm për kryetar të Federatës. Zhvillimet shkojnë në mënyrë sa më të mirë. Kuvendet janë duke ecur mirë deri më tani dhe janë mbajtur diku 10 apo 12 kuvende. Kështu që deri më tani nuk ka ndonjë kandidat, ndërsa mundësia për t’u paraqitur ndonjë kandidat është deri më 25 shkurt. Kështu që ditëve në vijim ndoshta do të kemi kandidatin zyrtar për kryetar të FFM-së”, ka thënë ushtruesi i detyrës së presidentit të FFM-së, Muhamed Sejdini për televizionin Klan Maqedoni.

Njeriu i parë i momentit në FFM, ka folur edhe rreth kandidaturës së tij për president të kësaj federate.

“Se a do të jetë Muhamed Sejdini kandidat i mundshëm për kryetar të Federatës apo jo, kjo gjë do të zbardhet më 21 shkurt, kur do të mbahet edhe Kuvendi i Lidhjes Futbollistike komunale në Kërçovë, pasi unë vij nga Kërçova dhe e njëjta ka të drejtë të bëjë propozimin tim. Më 21 shkurt pra do të dihet edhe zyrtarisht a do të jem kandidat apo jo”, ka thënë ai.

Me 17 mars, në kuvendin zgjedhor të FFM-së, përveç zgjedhjes së presidentit të FFM-së, do të mësohet edhe llogaria përfundimtare për vitin 2018, si dhe buxheti për vitin 2019.

Leave a Reply