Historia e Realit përfundoi! “Madrilenët” turpërohen midis “Bernabeut” nga Ajaksi (VIDEO)

Reali i Madridit është turpëruar dhe është eliminuar nga ndeshjet e Ligës së Kampionëve, duke bërë me dije që tani se Europa do të ketë një sundues të ri. “Madrilenët” u mundën 1:4 nga Ajaksi midis Bernabeut në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales, duke mos mundur që të ruajnë atë epërsi minimale 1:2 nga ndeshja e parë në Amsterdam.

Ajaksi e nisi vrrulshëm ndeshje, teksa brenda 18-të minutave të para shënoi dy gola me autorë Zijek (7’) dhe Neres (18’).

Pas këtij disavantazhi, pritej reagimi i Realit, por që realisht mungoi, ndërsa këtë më së miri e shfrytëzuan miqtë, të cilët në minutën e 62-të me anë të serbit Tadiç shënuan edhe golin e tretë në rrjetën e Kurtua.

Ky gol thuajse mbylli sfidën në “Bernabeu”, edhe pse për një çast shpresat e “mbretërve” i riktheu Asensio me golin e realizuar në minutën e 70-të.

Megjithatë shpresat ishin të kota, pasi vetëm dy minuta më vonë, Shone me një super gol nga gjuajtja e lirë vulosi triumfin 4:1 të Ajaksit, që me rezultatin e përgjithshëm 5:3 me plotë meritë kualifikohet për në ndeshjet çerekfinale, atje ku do të luaj edhe Totenhami, që edhe në ndeshjen e dytë shënuan fitore ndaj Borusia Dortmundit. Pas fitores 3:0 në “Uembli” të përzgjedhurit e trajnerit Poçetino sonte në “Sinjal Iduna Park”, duke iu falënderuar golit të danezit Eriksen shënuan fitore minimale 1:0.

Leave a Reply