UEFA dënon Diego Simeonen për gjestin e turpshëm

Gjesti i Diego Pablo Simeones, kur Atletico e tij shënoi golin e dytë ndaj Juventusit, në sfidën e parë të fazës së 1/8-ave të Champions Leagues në “Wanda Metropolitana”, bëri xhiron e botës, pavarësisht ndjesës nga ana e teknikut argjentinas.

Megjithatë UEFA hapi një hetim për këtë rast dhe analizoi me detaje veprimin e teknikut, por në fund vendosi ta gjobisë me 20 mijë euro, ndërsa nuk mori në konsideratë një pezullim të mundshëm të tij.

Thënë ndryshe, Simeone do të jetë normalisht në stol në “Allianz Stadium” të Torinos, kur Atletico të përballet me Juventusin për ndeshjen e kthimit, me synimin për të ruajtur avantazhin e dy golave dhe për të avancuar në çerekfinale.

Në vendimin e saj, UEFA ka analizuar se gjesti i Simeones nuk ishte as ndaj tifozëve juventinë dhe as ndaj arbitrave dhe vëzhguesve të ndeshjes, dhe për më tepër, vetë tekniku kishte kërkuar ndjesë menjëherë pas takimit.

Leave a Reply