Akuza të rënda nga ish presidenti i Deportivos, “Murinjo e vodhi Çampionsin e 2004, e fitoi me arbitra”

Ish presidenti i Deportivo Lakorunjës, Augusto Sezar Lendoiro, ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të strategut portugez, Hoze Murinjo.

Ai i është kthyer ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të vitit 2004, kur skuadra e tij luante ndaj Portos, që asaj kohe udhëhiqej nga Hoze Murinjo.

Lendoiro thotë se skuadra e tij u penalizua nga gjykimi në atë ndeshje, ku u favorizua Murinjo, duke pohuar se atë ndeshje nuk do ta harrojë kurrë.

Në një intervistë për “Idolos”, Lendoiro ka thënë: “Pa diskutim që gjykimi në atë ndeshje ndikoi. Deportivo nuk ishte një ekip me ndikim në Europë dhe atë vit Europiani do të zhvillohej në Portugali. Ky fakt luajti një rol të rëndësishëm. Gjykimi nuk mund të ishte me keq se në atë ndeshje. Ata e dinin mirë se çfarë duhej të bënin dhe ishin kundër nesh. Na masakruan deri në fund dhe nuk dhanë asnjë karton të verdhë për Porton. Ishte momenti i Mourinjos dhe Portos, që nuk ishte një skuadër e madhe, por e fortë. Ndeshja u ndikua shumë nga ndëshkimi me karton të kuq i Andrades për një “faull” ndaj Dekos” – thekson presidenti i Deportivos.

Rasti në fjalë krijoi shumë polemika në atë kohë, pasi dy futbollistët portugez u përplasën me njëri-tjetrin. Andrade i dha një shkelm të lehtë me shaka Dekos, por arbitri e ndëshkoi me të kuq. Një skenë e paharrueshme.

“Arbitri i dha karton të kuq, ishte absurde, sepse dy futbollistët janë miq. Andrade nuk luajti as në ndeshjen e kthimit dhe gjërat shkuan ashtu siç shkuan”, – përfundoi Lendoiro.

Leave a Reply