Distria Krasniqi siguron finalen në “Grand Prix” të Turqisë

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, e ka fituar edhe përballjen e tretë në kuadër të “Grand Prix” që po mbahet në Turqisë, duke i siguruar Kosovës të paktën medaljen e argjendtë nga kjo garë.

Në gjysmëfinale të kategorisë deri në 48 kilogramë, Krasniqi triumfoi ndaj xhudistes koreane, Yujeong Kang, ndërkohë në çerekfinale me ippon kishte mundur xhudisten serbe, Andrea Stojadinov.

Në raundin e dytë të “Grand Prix” në Turqi, Krasniqi e mposhti me ippon xhudisten turke, Gulkader Senturk, ndërsa rundin e parë e kaloi pa luftë.

Për herë të fundit, xhudistja kosovare fitoi medalje në “Grand Slam-in” e Parisit gjatë muajit shkurt të këtij viti, ku ishte stolisur me medalje të argjendtë.

Krasniqi është garuesja e vetme që e përfaqëson Kosovën në këtë turne, ndërsa me vetë kualifikimin në finalen e madhe, ajo së paku ka siguruar medaljen e argjendtë, por gjithsesi se do të tentojë ta marrë edhe të artën, ashtu siç bënë një javë më parë edhe Nora Gjakova dhe Loriana Kuka në kuadër të turneut “Grand Prix” të Gjeorgjisë.

Përveç garës për medalje, Krasniqi do të luftojë edhe për të fituar pikë për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Verore “Tokyo 2020”.

Leave a Reply