Najdenov përfundon aventurën në Superligën shqiptare

Bojan Najdenov e ka mbyllur para kohe aventurën  e tij te Laçi. Pesë javë para përfundimit të sezonit në kampionatin shqiptarë, Najdenov dhe drejtuesit e skuadrës laçiane kanë zgjedhur që ta mbyllin me konsensus kontratën mes tyre, duke mos rinovuar për sezonin e ardhshëm.

Në fakt, ky ka qenë një divorc i detyruar pas dy dëmtimeve radhazi të mesfushorit maqedonas, ndonëse drejtuesit e Laçit e kanë vlerësuar duke i dhënë minutazhin e duhur, por edhe duke i qëndruar korrekt në aspektin financiar.

Lajmin për këtë ndarje të parakohshme e ka konfirmuar edhe vetë Najdenov në profilin e tij në “Instagram”, ku kishte shkruar: “Sezoni ka mbaruar për mua. Sapo rikthehesha në 100%, pësoja një tjetër dëmtim. Kohët e fundit, pësova një tjetër dëmtim, i cili i dha fund edhe aventurës time me klubin e “KF Laçit”. Dua të deklaroj se bashkëpunimi im me drejtuesit e Laçit ka mbaruar. Dua t’i falënderoj të gjithë, anëtarët e stafit, tifozët, presidentin Pashk Laska, për mbështetjen dhe besimin ndaj meje. Jam shumë me fat që kam qenë pjesë e kësaj aventure. Kaluam kohë shumë të bukura, por dhe jo momente të mira, megjithatë unë do të mbaj mend vetëm momentet e bukura. I uroj Laçit fat në të ardhmen”.

27-vjeçari Najdenov te Laçi erdhi gushtin e vitit të kaluar nga rradhët e skuadrës iraniane të Esteghlal FC, ndërsa gjatë karrierës së tij gjithashtu kishte luajtur  edhe me skuadrat, si Horizont Turnova, Kozhuvi dhe Rabotniçki në Maqedoni, ndërsa për një periudhë të shkurtë 6 mujore kishte luajtur edhe në Egjipt me skuadrën e Smouha.

Leave a Reply