Feronikeli i Ramadanit, skuadra shqiptare me më shumë përfitime nga UEFA

Superliga e Kosovës, edhe pse vetëm me 2 përfaqësues në Europë, Feronikelin dhe Prishtinën, ka përfituar 1.250.000 euro, kjo falë edhe suksesit sidomos të skuadrës nga Drenasi, që udhëhiqej nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Feronikelit që fillimisht kaloi ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve, në total ka përfituar 1,03 milionë euro, ndërsa Prishtina vetëm 220 mijë euro, kjo pasi u eliminua që në raundin paraeliminatorë nga skuadra e Sent Xhozef nga Gjibraltari.

Për dallim nga Prishtina, Feronikeli zhvilloi plotë 6 ndeshje. Fillimisht në ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve që u zhvilluan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, mundi Lincoln Red Imps nga Gjibraltari (1:0), që më pas të mund edhe ekipin e Santa Coloma nga Andora (2:1).

Pasuan dy ndeshje të raundit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës uellsiane të Nju Seints, ndaj së cilës fillimisht barazuan 2:2 në transfertë dhe më pas u mundën në Prishtinë (0:1), ndërkohë në raundin e dytë eliminatorë të Liga Europa u dorëzuan përballë 17 herë kampionëve të Sllovakisë, që fillimisht si vendas kishte mundur Feronikelin me rezultatin 2:1, ndërkohë në Prishtinë kishte regjistruar një fitore edhe më komode, 2:0.

2 fitore, 1 barazim dhe 3 disfata, Feronikelit të Ramadanit i sollën 1 milion e 30 mijë euro, ndërsa edhe pas këtyre rezultateve pozitive, drejtuesit e skuadrës së “Niklit” gjatë ditës së sotme vendosën të shkarkojnë nga detyra e trajnerit, strategun shkupjan, i cili mund të konsiderohet si një ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë e këtij klubi, duke pasur parasysh se sezonin e kaluar në Kosovë fitoi titullin kampion dhe Kupën, transmeton “infOSport.mk”.

Feronikeli me 1.03 milion euro lë pas vetes Shkëndijën e Tetovës, që këtë vit përfitoi vetëm 800 mijë euro, njëjtë sikurse edhe Partizani i Tiranës.

Leave a Reply