Shkëndija nuk e nis mbarë, fitojnë Shkupi, Renova dhe Struga TL

Sot edhe zyrtarisht ka nisur sezoni i ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, ndërsa i njëjti nuk nisi mbarë për kampionët e Shkëndijës, të cilët pësuan në udhëtim te Akademia Pandevi në Strumicë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e trajnerit Jugoslav Trençovski në fund shënoi fitore minimale 1:0, duke iu falënderuar golit të shënuar nga Sashko Pandev në minutën e 55-të.

FC Shkupi theu Borecin vetëm në pjesën e dytë, kur edhe i shënuan të dy golat.

Sulmuesi kroat Marin Jurina në minutën e 61-të shënoi golin e parë për “bardhekaltërit”, teksa rezultatin përfundimtarë FC Shkupi 2, Boreci 0, e vendosi Gudiabi në minutën e 84-të.

Fitore minimale mirëpo me shumë vlera regjistroi edhe Renova, që në terren vendas me rezultatin minimal 1:0 mundi Sileksin. Autorë i golit të vetëm për “gjipspunuesit” në këtë ndeshje ishte Bashkim Veliu.

Fitoren e parë historike në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, e regjistroi edhe Struga Trim Lum.

Skuadra e trajnerit Jeton Beqiri në debutimin e saj në mesin e më të mirëve shënoi fitore 2:1 ndaj Rabotniçkit, edhe përkundër faktit se “romantikët” ishin ata që shënuan të parët në këtë ndeshje.

Ivan Markoviç ishte futbollisti që shënoi i pari në këtë përballje në minutën e 14-të, ndërkohë në minutën e 26-të falë proektilit të Burhan Mustafov, Struga Trim Lum barazoi shifrat në 1:1.

Për fitoren e skuadrës strugane u përkujdes kapiteni Nijas Lena, i cili në minutën e 60-të shënoi golin e dytë dhe të fitores për Struga Trim Lum, që në këtë mënyrë e nisi me këmbë të mbarë aventurën në elitën e futbollit vendor.

Java e parë e sezonit 2019/2020 në LPFM do të mbyllet gjatë ditës së nesërme me ndeshjes mes skuadrave nga kryeqendra jonë, Vardarit dhe Makedonija GJ.P.

Leave a Reply