Super Muriqi rikthehet me gol te Fenerbahçe

Asist dhe gol për Vedat Muriqin në takimin e sotëm të 1/16 së finales kundër Istanbulspor, në të cilën Fenerbahçe e tij shënoi fitore 4:0, njofton “infOSport.mk”. Një  rikthim ky i madh për Muriqin, pas atij lëndimi të pësuar në ndeshjen ndaj Kasimpasha në fillim të muajit nëntor.

Muriqi edhe në atë ndeshje kishte qenë futbollisti kryesor te skuadra nga Stambolli, duke shënuar dy gola në fitoren 3:2, mirëpo pas përfundimit të takimit, ylli kosovar u ankua në një lëndim, që i pamundësoi atij të ndihmojë edhe përfaqësuesen e Kosovës në dy ndeshjet vendimtare eliminatore për “Euro 2020”, kundër Çekisë dhe Anglisë.

Megjithatë rikthimi i tij me gol dhe asist pa dyshim se do të gëzojë edhe seleksionuesin e Kosovës, Bernard Çallandes, por edhe atë të Fenerbahçes, Ersun Janal.

Muriqi golin e tij të parë në kuadër të Kupës së Turqisë me fanellën e Fenerbahçes, e realizoi në minutën e 71-të, ndërsa gjithashtu asistoi edhe në shënimin e golit të dytë të realizuar nga ana e Kadiogllu. Ndërkohë dy golat tjerë për Fenerbahçen përballë Istanbulspor i realizuan Turuç (15’) dhe Zajc (88’), transmeton “infOSport.mk”.

Me këtë fitore të thellë Fenerbahçe thuajse me një këmbë është kualifikuar për ndeshjet e 1/8 së finales, pasi me shumë gjasa ndeshja e kthimit e 18 dhjetorit në fushën e Istanbulsporit do të jetë vetëm formalitet.

Leave a Reply