Interi kërkon mbrojtësin e River Plejt

Interi ka nisur kontaktet me skuadrën e njohur argjentinase të River Plejt për blerjen e mbrojtësit të tyre, Lucas Martinez Quarta.

Argjentinasi 24-vjeçar është 1.83 metër i gjatë dhe luan si qendërmbrojtës, por përveçse një futbollist i fortë e energjik, shquhet edhe për nivelin mjaft të mirë teknik dhe vizionin e lartë për lojën, pasi shpesh manovrat sulmuese të River Plejt nisin që nga këmbët e tij.

Për futbollistin i pari që ka folur me superlativa ka qenë ish legjenda e Interit, tashmë zëvendëspresident në klubin “zikaltër”, Havier Zaneti, që për mediat argjentinase deklaroi se po ndjek me vëmendje rritjen e vazhdueshme të Quarta.

Klubi argjentinas e vlerëson në rreth 22 milionë euro mbrojtësin, por marrëveshja mund të mbyllet për një shifër prej 15 milionë eurosh, duke parë edhe zhvlerësimin e monedhës në Argjentinë, por edhe dëshirën e lojtarit, që në moshën 24-vjeçare është gati për t’u nisur drejt Europës.

Nga ana tjetër Antonio Konte e pret krahëhapur futbollistin, pasi në idenë e tij për futbollin, organizimi i sulmit nis që nga mbrojtja dhe momentalisht vetëm holandezi De Vrij i përgjigjet kërkesave të trajnerit, duke provuar daljen me top dhe nisjen e sulmeve të rrezikshme.

Leave a Reply