Juve dhe Interi mbesin duarbosh, Rakitiç dëgjon zemrën dhe zgjedh…

Mesfushori kroat Ivan Rakitiç ka dëgjuar zemrën dhe jo milionat që mund ti përfitonte me një transferim eventual te skuadrat gjigande europiane, si Juve, Inter, apo edhe Paris Sen Zhermen.

Mesfushori kroat ka vendosur të kthehet te Sevilja, ku ka luajtur për tre sezone (2011-2014, 27 gola në 117 ndeshje në La Liga).

Interi dhe Juventusi në Itali dhe PSZH-ja në Francë në këtë mënyrë duhet të heqin dorë, sepse në moshën 32-vjeçare mesfushori aktual i Barcelonës preferon ta mbyllë karrierën në klubin ku fitoi famën fillestare dhe ku ndihet më i vlerësuar se në çdo skuadër tjetër.

E përditshmja spanjolle “Sport” i ka rezervuar faqen e parë Rakitiçit, teksa shpjegon se vendimi i tij për t’u kthyer te Sevilja lidhet me faktin që bashkëshortja e tij, Raquel Mauri, është me origjinë nga Andaluzia.

Drejtuesve të Barcelonës nuk u mbetet gjë tjetër veçse të arrijnë marrëveshjen me drejtorin sportiv të Seviljas, Mochi, edhe pse dëshira e tyre është të arkëtojnë sa më shumë para nga kartoni i futbollistit, çka do të plotësohej vetëm nëse do të transferohet në një skuadër tjetër të madhe europiane.

Vullneti i futbollistit, kontrata e të cilit me Barcelonën përfundon më 30 qershor 2021, duket se do të jetë përcaktues.

Leave a Reply