Ardian Nuhiu flet pas fitores së madhe ndaj Flamurtarit

Ardian Nuhiu me Dritën e tij e ka nisur me këmbë të mbarë rifillimin e sezonit në Superligën e Kosovës, teksa sot në Gjilan mundën Flamurtarin me rezultatin minimal 1:0, në ndeshjen e vlefshme të javës së 23-të, njofton “infOSport.mk”.

Golin e fitores për Dritën e shënoi ish futbollisti i Shkëndijës, Astrit Fazliu, me të cilin Drira morri 3 pikë të mëdha, që e kishin gëzuar edhe strategun shkupjan të Dritës së Gjilanit.

“Nuk do të ketë fitore të lehta pas kësaj pauze të gjatë, gjendja fizike e ekipit pritet të ndikojë te secila skuadër, sidomos në pjesët e dyta”, tha fillimisht Nuhiu për SSK.

“E rëndësishme është fitimi i këtyre tri pikëve, në pjesën e parë kishim lojën në kontroll, ndërsa në pjesën e dytë kërkuam golin e qetësisë por nuk erdhi. Në pjesën e dytë kishim rastin me Rexhën, por ishte meritë e portierit kundërshtar që nuk u shënua edhe një gol, gjithsesi, dua t’i uroj çunat për këtë tre pikësh”, përfundoi Nuhiu.

Drita falë kësaj fitore të sotme, morri përkohësisht kryesimin e renditjes në IPKO Superligë. Skuadra “bardhekaltër” nga Gjilani në 23 xhiro ka grumbulluar 46 pikë, dy më shumë se Ballkani i Ismet Munishit, që nesër do të zhvillojë ndeshjen e saj kundër Drenasit.

Leave a Reply