Gjilani mund Prishtinën, Useini i dëmtuar lëshon fushën

Gjilani ka marrë një fitore me shumë vlera sot në kuadër të javës së 29-të në Superligën e Kosovës, duke mundur Prishtinën me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo një ndeshje shumë e luftuar nga ana e të dyja skuadrave, ndërsa që të tre golat u realilzuan gjatë pjesës së dytë.

Mesfushori tetovar, Muhamed Useini, si në çdo ndeshje, edhe sot luajti titullarë, mirëpo në minutën e 23-të pas një dueli që pati me sulmuesin kundërshtarë, Oto Xhon, ishte i detyruar që të lëshojë fushën.

Ndryshe golin e parë, Gjilani e realizoi në minutën e 53-të, vetëm 3 minuta pas daljes me të kuq të portierit Visar Bekaj, i cili kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar ndaj Gerhard Prognit.

Golin e avantazhit për Gjilanin e realizoi Franc Veliu nga goditja e dënimit, ndërsa për rezultatin 2:0 u përkujdes Gerhard Progni në minutën e 67-të, i cili shfrytëzoi në maksimum një dalje të gabuar të gardianit England Haxho dhe për mrekulli realizoi në portën e zbrazët.

Në minutën e 81-të Prishtina përmes Armend Thaqit realizoi golin e shpresës, mirëpo që në fund u tregua edhe si i fundit, pasi dueli u mbyll me fitoren e Gjilanit, 2:1, skuadër kjo që pas kësaj fitore ende shpreson tek titulli.

Pas 29 xhirove, Gjilani me 58 pikë renditet në pozitën e 3-të, menjëherë pas Ballkanit të vendit të dytë, që ka një pikë më shumë, ndërkohë renditjen vazhdon të kryesojë Drita e Gjilanit me 61 pikë dhe një ndeshje më pak, atë kundër Feronikelit, që në program është nesër.

Leave a Reply