Humbi gjyqin me 2 futbollistë të huaj, FIFA fundos klubin shqiptar!

Luftëtari është i zhytur në borxhe. Rreth 123 mijë euro duhet të paguajë klubi gjirokastrit për humbjet e gjyqeve me dy futbollistë të huaj. Në fund të muajit shkurt FFIA ka publikuar vendimet e gjyqeve dhe gjirokastritet në rast se nuk arrijnë marrëveshje, ose t’i paguajnë Nemanja Janiçiç dhe Ismael Dunga, nuk do të mund të bëjnë merkato.

Momentalisht nuk dihet nëse në Gjirokastër e kanë gjetur një zgjidhje. Nëse jo, atëherë afati prej 45 ditësh ka kaluar dhe Luftëtari nuk mund të përforcohet këtë merkato, në janar dhe verën e ardhshme. Sigurisht rikthimi në elitë pa bërë merkato as që mendohet, ndërkohë që duket e pakuptimtë që te Luftëtari kanë lejuar shumë lojtarë të largohen me mbylljen e kampionatit.

Detajet e gjyqeve

Sulmuesi Ismael Dunga u ka bërë një dëm të madh “zikaltërve” nga Gjirokastra, pasi ndaj tij duhet të paguajnë bashkë me 5 % të interesit rreth 81 mijë euro.

FIFA ka vendosur që Luftëtari i detyrohet lojtarit nga Kenia 11300 për pagat e padhëna, si dhe 65587 euro për prishjen e kontratës. Vendimi i 25 shkurtit është i qartë.

Vendimi i FIFA per Ismael Dunga

Tre ditë më pas FIFA ka pranuar pjesërisht edhe kërkesën e mbrojtësit Nemanja Janiçiç, i cili në fund të gjyqit ka fituar të drejtën për të marrë 22500 euro, që Luftëtari i detyrohet për pagat e padhëna. Veç kësaj, FIFA i ka dhënë të drejtë edhe për prishjen e marrëveshjes. 18 mijë euro bluzinjtë duhet t’ia japin mbrojtësit për ndërprerjen e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Të gjitha shumave të mësipërme u llogaritet edhe 5 për qind interes dhe detyrimi i Luftëtarit shkon në rreth 123 mijë euro. (Abcnews)

Leave a Reply