Klasikja shqiptare i takoi Vllaznisë së Adilit dhe Imerit (VIDEO)

Vllaznia e Shkodrës ka shënuar fitore 3:2 në klasiken shqiptare ndaj Tiranës, duke vazhduar serinë e ndeshjeve pa gabime në edicionin e ri futbollistik, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo fitorja e tretë sezonale dhe e pesta në përgjithësi për skuadrën shkodrane në sezonin e ri, përfshirë këtu edhe dy fitoret tenistike 8:0 dhe 7:0 në kuadër të ndeshjeve të Kupës, kundër Elbasanit, gjegjësisht Devollit.

Protagonistë në këtë ecuri pa dyshim se është edhe treshja e futbollistëve nga Maqedonia, me në krye komandantin e ri në mbrojtje, Mevlan Adili, mesfushorin që dinë të shënojë, Demir Imerin dhe majtakun e mbrojtjes, Aleksandar Isaevski, i cili ka provuar veten edhe të shënojë.

Kjo treshe ishte pjesë edhe e fitores së sotme dramatike ndaj kampionëve të Tiranës, që erdhi vetëm në minutën e 97-të.

Ndryshe Vllaznia kaloi në epërsi me golin e Herald Markut në minutën e 28-të nga pika e bardhë, ndërsa me të nisur pjesa e dytë, Muçi bëri që Tirana të buzëqesh, duke barazuar shifrat në 1:1.

Marku edhe njëherë tjetër u shfaq në skenë në minutën e 50-të, kur sërish bëri që Vllaznia të avansojë ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë, që gjetën golin e barazimit sërish, këtë herë me ganezin Denis Sasraku në minutën e 63-të.

2:2 rezultati në ato momente, ndërsa i tillë mbeti deri në minutën e 6-të shtesë të takimit, që më pas në minutën e 97-të një ish futbollistë i Tiranës, Ismael Dunga, të ndëshkojë të tijtë me golin e tretë të shënuar në rrjetën e Bekaj, transmeton “infOSport.mk”.

Festë gjithandej pas këtij goli, që i mundësoi Vllaznisë edhe 3 pikë të reja, me të cilat kryeson renditjen me 9 pikë maksimale, duke lënë pas vetes Kastriotin dhe Teutën që kanë tubuar nga 5 pikë në 3 xhirot e para të Superligës shqiptare.

Leave a Reply