Jasir Asani largohet nga Partizani, Dubari destinacioni i tij i rradhës!

Prej disa kohësh, Jasir Asani i kishte dhënë sinjalet që do të largohet nga Partizani. Shkupjanin 25-vjeçar gjithmonë e ka tërhequr ideja të luajë jashtë Shqipërisë, madje e provoi dhe për gjashtë muaj në Suedi, ku luajti si i huazuar tek ekipi i AIK Stokholm.

Në fund të muajit dhjetor, agjenti i Asanit dhe i ati i tij, zbarkuan në Tiranë, për të biseduar në lidhje me të ardhmen e 25-vjeçarit.

Drejtuesit e Partizanit shpresonin fillimisht te një rinovim, por dëshira e Asanit për të luajtur në një kampionat të huaj, fitoi në fund.

“Panorama Sport” zbulon se anësori i Partizanit, pritet të transferohet brenda pak ditësh në Dubai. Një skuadër nga kategoria e dytë në futbollin e Dubait është interesuar për shërbimet e shqiptarit nga Maqedonia, madje ka bërë dhe një ofertë konkrete.

Duke marrë shkas se Asani është futur në gjashtë muajt e fundit të kontratës, klubi arab ka përfituar dhe i ka ofruar Partizanit vetëm 20 mijë euro, ofertë kjo që është pranuar nga drejtuesit e Partizanit.

Asani nuk ka pranuar të rinovojë me klubin e kuq dhe Partizani nuk dëshiron që të mos përfitojë asnjë qindarkë nga largimi i Asanit.

Leave a Reply