Arlind Ajeti rikthehet në futbollin italian

Ish mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, sërish do të luaj në futbollin italian. Ajeti është larguar nga danezët e Velje BK, duke pranuar ofertën e skuadrës italiane të “Serie B”, Reggiana.

Kështu Ajeti rikthehet në Itali sërish, aty ku më parë kishte luajtur edhe me Torinon, Frosinonen dhe Krotonen.

Ajeti me Reggianan ka nënshkruar kontrata dy vjeçare, ndërsa menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, Ajeti tha se i kishte munguar Italia gjatë kësaj periudhe.

“Më mungonte Italia dhe kisha një dëshirë të madhe të kthehesha në këtë vend. Jam i lumtur që vij këtu. Falënderoj klubin për mundësinë e dhënë, duke nisur me drejtorin Tosi dhe trajnerin Alvini që më donin në skuadër. Objektivi ynë është të japim maksimumin për të shpëtuar dhe për t’u konfirmuar në këtë kategori. Më pas mund të ëndërrojmë për gjëra më të mëdha”, – tha Ajeti mes të tjerash.

26-vjeçari Ajeti karrierën e kishte nisur në Zvicër me Konkordia, aty ku kishte luajtur gjithashtu edhe me Bazelin dhe Grasshopersin, nga e cila skuadër më pas kishte kaluar në kampionatin danez duke veshur fanellën e Velje BK.

Leave a Reply