Diçka po zihet, Stavrev sërish në Kratovë në ndeshjen Sileksi-Renova!?

Aleksandar Stavrev do të ndajë drejtësinë në ndeshjen e së dielës në Kratovë midis Sileksit dhe Renovës. Dhe e besoni dot kjo do të jetë hera e 5-të në 6 përballjet e fundit që ky arbitër ndanë drejtësinë në përballjet mes këtyre dy skuadrave, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse drejtuesit e Renovës kanë reaguar më parë lidhur me arbitrimin e Aleksandar Stavrev në përballjet me skuadrën nga Kratova, si duket një gjë e tillë nuk u ka shkuar në vesh edhe drejtuesve të Federatës, të cilët vazhdojnë të përsërisin “gabimin”.

Në ndeshjen e fundit ku arbitër ishte Stavrev, drejtuesit e Renovës reaguan ashpër pas ndeshjes që u mbyll me rezultatin 0:0. Sipas tyre ata ishin të dëmtuar për një penalti jo të akorduar nga ana e Stavrev, i cili në vend që të tregojë në pikën e bardhë, tregoi pozitë jashtë loje, edhe pse në videon më poshtë shumë qartë  shihet se një gjë e tillë nuk ekzistonte.

Reagim me shkrim për mediat nga ana e drejtuesve të Renovës pati edhe në ndeshjen e sezonit të kaluar me 03 prill të vitit 2016-të, kur gjithashtu drejtësinë në ndeshjen në Kratovë ndante Aleksandar Stavrev.

Pikërisht referimi tendencioz nga ana e arbitrit Stavrev sipas drejtuesve të Renovës kishte ndikuar në rezultatin përfundimtarë të takimit në fjalë, pasi një penalti e dhuruar nga ana e tij i dha fitoren minimale 1:0 Sileksit, raporton “infOSport.mk”.

Ndeshja e vetme në të cilën Renova ka shënuar fitore në 4 përballjet e fundit ku arbitër ka qenë Aleksandar Stavrev ka qenë ajo e sezonit 2015/2016, kur në Tetovë Renova falë golave të shënuar nga Mojsov dhe Emini kishte mundur Sileksin me rezultatin 2:1.

Mirëpo edhe në atë ndeshje ishin futbollistët  e Renovës që ndëshkoheshin me kartonë të verdhë, që janë një histori në vete pasi e besoni dot në gjithë këto 4 përballjet e fundit mes Renovës dhe Sileksit, arbitri Stavrev ka ndëshkuar 15 herë futbollistët  e Renovës, për dallim nga ata të Sileksit që janë ndëshkuar në vetëm dy raste.

Leave a Reply