Hendboll, Rinia kthehet me fitore nga Struga

Klubi i hendbollit Rinia është kthyer me fitore nga transferta në qytetin e bukur turistik kundër Strugës, në ndeshjen e vlefshme të javës së 16-të në Ligën e Parë të Hendbollit në vend, njofton “infOSport.mk”.

Rinia shënoi fitore me rezultatin 30:27, duke arritur në këtë mënyrë deri tek fitorja e 10-të këtë edicion, që i mban ata në pozitën e tretë, menjëherë pas dyshes kryesuese, Mladostit dhe Vardar 2.

Hendbollistët shkupjan që nga fillimi diktuan tempon ndaj nikoqirëve, duke krijuar avantazhin që në start.

Pjesa e parë u mbyll me 4 gola epërsi në favor të Rinisë (13:17), me kapitenin Latifi që ishte i pandalshëm për henbdollistët e Strugës, të cilët edhe gjatë pjesës së dytë nuk arritën të gjejnë kundërpërgjigje ndaj liderit të Rinisë në këtë ndeshje, që në fund e mbylli ndeshjen me 12 gola të shënuar.

Rinia falë paraqitjes së tij të mirë në fund i’a doli të shënojë fitore me rezultatin 30:27, ndërsa me lojë të mirë te skuadra shkupjane përveç kapitenit të tyre, u dalluan edhe Borjan Stojanoski me 6 gola të realizuar dhe Adis Saliu që këtë ndeshje e mbylli me 4 gola të shënuar.

Në anën tjetër më i spikatur te vendasit e Strugës ishte Hristijan Krstanoski me 12 gola të realizuar.

Falë kësaj fitore Rinia me 31 pikë mbetet në pozitën e dytë, duke lënë pas vetes Prespa 2010 që ka 25 pikë, ndërkohë Struga renditet në pozitën e 6-të me 22 pikë të tubuara.

Leave a Reply