E shtuna e rezervuar për super derbin në futsal, Shkupi – Velesi

E shtuna sportive në vendin tonë është e rezervuar për super derbin në elitën e futsalit vendor, ndërmjet Shkupit dhe Velesit, njofton “infOSport.mk”.

Është kjo ndeshje vendimtare, në të cilën do të vendoset edhe emri i kampionit të ri në futsalin vendor, ku “bardhekaltërit” nga Çairi futen me një epërsi prej tre pikëve, që në fund mund të jenë edhe  shumë me peshë, pasi në këtë rast Shkupi edhe me barazim do të shpallej kampion.

Skuadra e cila u themelua vetëm para tre viteve, këtë edicion shkëlqeu në futbollin në palestër duke mos njohur fjalën disfatë.

Ata në 23 ndeshje shënuan 22 fitore, ndërsa barazuan në ndeshjen ndaj rivalit kryesor për titull, Velesit, edhe atë në fushën e kundërshtarit, kur në fund ndeshja ishte mbyllur me rezultatin 3:3.

Mirëpo ata bënë hapin e madh drejt titullit kampion me fitoren e 03 marsit (2:1) në palestrën “Enver Idrizi” në Çair, në të njëjtin vend ku të shtunën (20 maj), do të zhvillohet edhe ndeshja përcaktuese për titullin e kampionit.

Është kjo finalja e parë mes këtyre dy skuadrave, të cilat me 28 maj do të ndajnë mejdanin sërish, kësaj rradhe në finalen e Kupës së Maqedonisë që do të zhvillohet në Strumicë.

Leave a Reply