Shkëndija barazon dhe në raundin e tretë shkon (VIDEO)

Shkëndija i’a ka arritur qëllimit, duke u kualifikuar për në raundin e tretë eliminatorë të Liga Evropa. Të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në transfertë, barazuan 1:1 ndaj Helsinkit, rezultat ky i mjaftueshëm që “kuqezinjtë” të vazhdojnë tutje, pasi në ndeshjen e parë të zhvilluar në Strumicë Shkëndija kishte shënuar fitore me reuzltatin 3:1.

Helsinki shpresoi shumë në këtë përballje, sidomos pas atij autogoli të Marjan Radeskit në minutën e 28-të, mirëpo gjithçka morri kahjen e duhur për “kuqezinjtë” pas atij goli të shënuar nga ana e kroatit, Ivan Çelikoviç në minutën e 71-të.

Ky gol ishte edhe i fundit në këtë përballje, në të cilën Shkëndija edhe njëherë tjetër tregoi se bëhet fjalë për një skuadër mirë të organizuar dhe se këtë vit dëshiron të bëjë një hap më shumë se vitin e kaluar.

Ishte kjo ndeshja e katërt për Shkëndijën këtë edicion në eliminatoret e Liga Evropa, ku ka të shënuar 3 fitore dhe vetëm një barazim.

Shkëndija në raundin e tretë kualifikohet me rezultatin e përgjithshëm 4:2, ndërsa atje do të mirëpret skuadrën fituese nga përballja Trakai – Norçeping, ndeshje në të cilën të dyja skuadrat po zhvillojnë minutat shtesë dy herë nga 15 minuta, pasi Trakai përsëriti rezultatin e ndeshjes së parë, 2:1, njëjtë sikurse edhe Norçepingu që e kishte arritur në ndeshjen e parë në Suedi.

Leave a Reply