Fatiç flet si futbollist i Shkupit

Skuadra e Shkupit në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës ka përforcuar repartin e mbrojtjes me malazezin Ivan Fatiç. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës, i cili pas vetes ka një eksperiencë të madhe edhe në futbollin evropian, ku një pjesë bukur të mirë ka kaluar në futbollin italian, duke qenë pjesë e skuadrave të njohura si Inter, Xhenoa, Kievo, Verona e Leçe.

Në Shkup 29 vjeçari i lindur në Plevlje arriti të shtunën në mbrëmje, ndërsa debutimin e tij të parë e kishte të dielën në miqësoren ndaj Vëllazërimit të Kërçovës, ku trajneri Ardian Nuhiu i dha mundësinë që të luajë në 35 minutat e fundit.

“Që në ditën e parë e kam parë që kam ardhur në një vend mjaft të qetë dhe që më bëri të ndjehem sikurse të jem në familjen time, djelmoshat më kanë pritur mjaft mirë, njëjtë edhe trajneri. Mendoj se ata do të më ndihmojnë mua, por edhe unë ata, jam mjaft i gëzuar që përsëri i kthehem futbollit pasi që kam bërë një pushim prej gjashtë muajve. Pas ndarjes me Sloboda Tuzlën, jam shumë i gëzuar që u jam kthyer stërvitjeve dhe futbollit, kjo është jeta ime dhe shpresoj se të gjithë do të jemi të kënaqur. Nga klubi më kanë thënë se këtë sezon synojnë mbetjen në ligë, ndërsa unë besoj nga ajo që pashë edhe në ndeshjen e djeshme kundër Vëllazërimit se ka një skuadër mjaft të mirë që krijon shumë raste për të shënuar, por që do të na duhet të punojmë shumë për të arritur qëllimet tona”,-  ka thënë mbrojtësi i ri i skuadrës së Shkupit, Ivan Fatiç.

Në pyetjen se sa ka njohuri lidhur me Ligën e Maqedonisë, Fatiç me përgjigje: “Të them të vërtetën nuk di shumë për kampionatin, gjithçka kemi vendosur në momentin e fundit të afatit kalimtar, nënshkrova me Shkupin me 31 gusht në orën 24:00, andaj edhe nuk kam hulumtuar shumë për të mësuar për kampionatin, por në bazë të asaj sa kam parë, e di që ka ekipe të forta që kanë shënuar edhe suksese në arenën ndërkombëtare. Unë jam i fokusuar te Shkupi dhe dëshiroj të jap më të mirën nga unë që të përmbushim kërkesat e tifozëve dhe kryesisë”.

Ivan Fatiç ka zgjedhur që këtë sezon te Shkupi të mbajë fanellën me numër 26, ndërsa rikujtojmë që skuadrës “bardhekaltër” nga Çairi i bashkohet nga skuadra boshnjake e Sloboda Tuzla.

Leave a Reply