Lena: E shoh Shqipërinë si favorite, Bardhi do bëjë diferencën te Maqedonia

Një ndër futbollistët që njeh mirë dy përfaqësueset që do ndajnë mejdanin sonte në Strumicë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, është pa dyshim mesfushori strugan Nijas Lena, që aktualisht mbron ngjyrat e Teutës nga Durrësi.

Ai ka shumë vite që luan në Superligën shqiptare, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në futbollin tonë vendor.

Në një prononcim për “infOSport.mk”, Lena tha se e sheh Shqipërinë si favorite, duke besuar edhe në eksperiencën e futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

“Duke parë që të dyja kombëtaret vijnë me fitore nga ndeshjet e tyre të fundit, ata janë me vetëbesim të lartë. Unë këtë ndeshje e shoh si një ndeshje që do të jetë e luftuar shumë, pasi edhe fusha që do luajnë nuk do jetë në nivele të larta për të treguar më shumë dhe për të dhënë atë më të mirë që janë të aftë për të treguar në fushë. Kështu që mendoj se do jetë një përballje e barabartë, ku ndoshta pak më favorite e shikoj Shqipërinë” – tha Nijas Lena, i cili potencoi se Shqipëria ka eksperiencë më të madhe se Maqedonia, që në përbërjen e saj ka futbollistë të rinj dhe shumë të talentuar.

Një ndër ta pa dyshim se është edhe futbollisti shqiptarë, Enis Bardhi, që sipas Lenës, mund të jetë sonte pikërisht ai që do të bëjë diferencën te Maqedonia.

Ndeshja midis Maqedonisë dhe Shqipërisë zhvillohet sonte në Strumicë në stadiumin “Mladost” me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply