Golat nga ndeshja Skopje-Shkëndija (VIDEO)

Shkëndija ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive në elitën e futbollit vendor. “Kuqezinjtë” nga Tetova kanë shënuar edhe fitoren e 6-të nga 7 përballje të deritanishme, duke qenë të parët në renditje, shkruan “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani gjatë ditës së sotme shënuan fitore 2:1 në transfertën ndaj Skopjes, aty ku javë më parë Vardari kishte humbur dy pikët (ndeshja Skopje-Vardari ishte mbyllur me barazim).

Edhe pse ndoshta pritej një fitore më bindëse nga ana e Shkëndijës së Tetovës, duke pasur parasysh se përballë kishte skuadrën e fundit në tabelë, fusha e stadiumit në lagjen Hekurana të Shkupit nuk ofronte një gjë të tillë, ashtu që në fund skuadra tetovare doli që me vështirësi të arrijë deri tek tre pikëshi i plotë.

Për një gjë të tillë kontribuoi edhe goli i shënuar nga ana e skuadrës vendase në minutën e 20-të me anë të Filip Mishevskit, mirëpo kur në skuadër ke yje si Ibraimi dhe Hasani, atëherë gjithçka është e mundur.

Falë kësaj super dyshe Shkëndija arriti që të përmbys avantazhin e skuadrës vendase, duke u rikthyer në Tetovë me pikë të plota. E gjithë kjo bënë që atmosfera në taborin “kuq e zi” të jetë shumë pozitive para derbit lokal ndaj Renovës, që në program është të mërkurën me fillim në ora 15:30.

Leave a Reply