Reagon Vardari, brengoset për humbjen e A. Pandevit në rastin ‘Lojtari ri’

Vendimi i Komisionit për Gara pranë FFM-së që ndeshjen e xhiros së 21-të të LFPM-së ndërmjet Shkëndijës dhe Akademia Pandevit ta regjistrojë me rezultatin e arritur në terren 1:0 për tetovarët, ka ngjallur reagim në taborin e Vardarit të Shkupit. Të zënë ngushtë që po humbin betejën për titullin e kampionit përballë tetovarëve, nga tabori i Vardarit rezultojnë të brengosur për pikët që nuk ju dhanë Akademia Pandevit.

Nga skuadra shkupjane kanë dalë me komunikatë për media ku sulmojnë kreun e FFM-së për vendimin e marrë, sipas tyre të padrejtë, pasi vetëm tani ata publikisht shprehen se kanë pretenduar pikët të shkojnë për Akademia Pandevin, që do tu linte gjallë ndonjë shpresë të vogël për titullin. Nga Vardari akuzojnë se FFM me këtë vendim ndihmon Shkëndijën dhe se drejtësinë do ta kërkojnë në instancat më të larta, ndërsa qëndrimin e tyre e bazojnë se të gjithë bashkë duhet të angazhohen për të mbrojtur avansimin e të rinjëve në futbollin vendor. Ata përmes kësaj komunikate të qartë të shkruar në ndikim të emocioneve kërkojnë dorëheqje të kreut të FFM-së, Ilço Gjorgjioski dhe komisioneve në shtëpinë e futbollit vendor.

Gjithsesi kjo tezë e tyre has në kundërshtim me politikën e vetë Vardarit kohëve të fundit, pasi që nga ekipi u janë larguar disa lojtarë që me Maqedoninë U 21 luajtën në Kampionatin Europian, ndërsa për momentin kanë pezulluar dhe dërguar të ushtrojnë me të rinjtë reprezentuesin e Maqedonisë, Darko Velkovskin dhe talentin Filip Stojçevski.

Leave a Reply