Mësohet orari i ndeshjeve në turneun e futsalit “Adem Jashari”

Nesër dhe pasnesër në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës, do të mbahet turneu “Adem Jashari” në futsall, njofton “infOSport.mk”.

Pjesëmarrës në këtë turne përveç përfaqësueses A të Kosovës dhe asaj U21, do të jenë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë dhe Kombëtarja e Shqipërisë.

Për herë të parë pjesë e kësaj të fundit do të jenë dy shkupjanët, Berat Jakupi (portieri i Futsal Shkupit) dhe Eljesa Neziri (sulmues i Juventus Seravës), teksa përfaqësuesen e Maqedonisë në këtë turne do ta përfaqësojnë plotë 6 lojtarë shqiptarë, që njëherit përbënë edhe rekord, bazuar në grumbullimet e mëparshme të kësaj përfaqësuese.

Përveç lojtarëve, tanimë të zakonshëm, Ferid Agushi, Taulant Ismaili (Feniks – Kosovë) dhe Erkan Seferi (Futsal Shkupi), pjesë e “verdhekuqve” do të jenë edhe treshja tjetër e Futsal Shkupit, Ylber Alili, Ismet Ceka dhe Eroll Dalip.

Do të jetë pikërisht përfaqësuesja e Maqedonisë që do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të këtij turneu, kur nesër (e shtunë) me fillim në ora 12:00 do të takohet me përfaqësuesen U21 të Kosovës, teksa një orë e gjysmë më vonë në gjysmëfinalen e dytë mejdanin do të ndajnë përfaqësuesja e Kosovës dhe Kombëtarja e Shqipërisë, transmeton “infOSport.mk”.

Skuadrat fituese do të takohen në finalen e madhe, që në program është me fillim në ora 17:00, ndërkohë nga ora 15:00 është paraparë të zhvillohet ndeshja për vendin e tretë.

Leave a Reply