Lirim Kastrati ndez “luftën” mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ndizet edhe më shumë debati mes Shqipërisë dhe Kosovës sa u përket talentëve shqiptarë të futbollit  dhe tentativave të afrimit të tyre nga të dyja përfaqësueset. Ditën e fundit, në mediat kosovare ka qarkulluar lajmi se FSHF po mundohej të afronte futbollistin e talentuar 19-vjeçar Lirim Kastrati, ndërsa një gjë e këtillë si duket nuk i ka pëlqyer trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, i cili përmes një komenti në “Facebook”, nuk ka ngurruar të thumbojë palën shqiptare.

Sipas tij, FSHF po gabon shumë me këto tentativa, duke imponuar zgjedhjet, ndërsa Kosova nuk e kishte bërë një gjë të tillë në periudhën kur lojtarët po zgjidhnin të vishnin fanellën kuqezi.

 “Nuk po i kuptoj këta njerëz të FSHF-së se çka jonë duke menduar. A e dinë këta se ne edhe pse kemi qenë të robëruar me vite, ne jemi shumë më të zgjuar se ata në të gjitha aspektet. Por ne i kemi respektuar gjithmonë talentet dhe nuk i kemi penguar. Por tash po më duket se e kanë tepruar me këto gjëra duke u munduar t’ia imponojnë Shqipërinë e jo Kosovën, nuk jeni korrekt me ne, por mos mendoni se ne rrimë duar kryq” – kishte qenë komenti i Batatinas në një postim lidhur me lajmin e Lirim Kastratit dhe tentativën e FSHF-së, për të bërë për vete futbollistin kosovar të Lokomotivës së Zagrebit.

Leave a Reply