Mitroviq: Pasi aq shumë e duan Kosovën, pse atëherë luajnë për shtete tjera!?

Serbet nuk mund të qetësohen pas “provokimit” të Xherdan Shaqirit, i cili javë më parë përmes rrjeteve sociale kishte prezantuar këpucët e futbollit me të cilat do të luaj në Kampionatin Botëror në Rusi. Shaqiri përmes një fotografie në rrjetet sociale, ka zbuluar se në thembrën e këmbës së djathtë do ta ketë flamurin e Kosovës, kurse në këmbën e majtë flamurin e Zvicrës.

Pas reagimit të mediave, i rradhës që ka komentuar gjestin e Shaqirit, është sulmuesi i përfaqësueses së Serbisë, Aleksandar Mitroviq.

“Gjestin me flamurin e Kosovës në këpucët e futbollit nuk e shoh si provokim. Ajo është punë e tij dhe nuk më intereson mua. Diçka tjetër më habit, të gjithë ata futbollistë  që luajnë atje valvisin flamurin e Kosovës, ndërsa njëkohësisht refuzojnë ftesën për të luajtur për këtë përfaqësuese. Kjo flet mjaftueshëm për ta. Nëse e duan aq shumë Kosovën, atëherë pse luajnë për përfaqësuese të tjera” – ka thënë Mitroviq.

Zvicra dhe Serbia janë pjesë e grupit “E”, bashkë edhe me Brazilin dhe Kosta Rikën, ndërsa përballë njëra tjetrës do të vihen me 22 qershor me fillim në ora 20:00.

Leave a Reply