E bujshme, Radash braktis Skënderbeun dhe i bashkohet Flamurtarit!

Deri dy muaj më parë, Marko Radash ishte një nga emrat më të vlerësuar nga tifozeria në Korçë dhe jo rastësisht. Mbrojtësi kroat ishte kthyer në një korçar të mirëfilltë dhe nuk ngurroi të deklaronte si për mediat shqiptare, ashtu edhe për mediat në vendlindjen e tij, se planifikonte që pasi të linte futbollin të vazhdonte të jetonte në këtë qytet.

Dua të jetoj në Korçë, pasi tani jam një korçar”, ishin fjalët e Radash pak muaj më parë për “Panorama Sport”, kur i shprehte dashurinë e përjetshme Skënderbeut, ku planifikohej që ai të fillonte punë si trajner në akademinë e klubit pasi të vartë këpucët në gozhdë.

Por mund t’i harroni këto fjalë të lojtarit, pasi ai nuk ka ndër mend të kthehet në Korçë, sepse ka kuptuar se vendimi i fundit i KAS i ka shuar shpresat për ndërtimin e një skuadre me shumë pretendime ku të mbyllë karrierën e tij. Futbollisti 34-vjeçar ka refuzuar ofertën e rinovimit që i është vënë para, ndërsa raportohet se ka pranuar atë të një tjetër skuadre të Superiores, Flamurtarit.

Atje, ai do t’i bashkohet Gledi Micit i cili pritet të firmosë gjithashtu me vlonjatët e nuk është çudi që shumë shpejt të ketë përkrah edhe emra të tjerë të cilët deri një muaj më parë i deklaronin besnikëri Skënderbeut e tani e mendojnë kthimin aty vetëm si kundërshtarë të skuadrës korçare. (vipsport.al)

Leave a Reply