Sa i pafat Taulant Xhaka, dëmtohet sërish, dështon transferimi te Sevilja!

Edhe pse Sevilja kishte shprehur interesim serioz për shërbimet e mesfushorit shqiptarë të Bazelit, Taulant Xhaka, ky i fundit megjithatë do të vazhdojë të mbetet sërish pjesë e shumë herë kampionëve të Zvicrës.

Futbollisti i kombëtares shqipatre është dëmtuar përsëri në fazën përgatitore me klubin e Bazelit dhe kjo ka mbyllur përfundimisht çdo diskutim për largimin e tij të mundshëm drejt Seviljes.

Lajmin për dëmtimin e Xhakës e ka dhënë vetë trajneri i Bazelit, Rafael Viki, i cili ka theksuar se ai vinte në një moment të keq, pasi futbollisti shqiptarë sapo ishte riaftësuar nga një tjetër dëmtim që e kishte lënë disa muaj jashtë fushave.

“Gjëja negative e fazës përgatitore është se Xhaka dhe Kampo janë dy futbollistë të cilët kanë qenë gjithmonë të dëmtuar, ata nuk mundën të stërviteshin me skuadrën. Sidomos për faktin se Taulanti sapo ishte riaftësuar nga një dëmtim. Tani do të shohim kohën që do i duhet për riaftësim”, theksoi trajneri i klubit zviceran.

Pak ditë më parë, në mediat ndërkombëtare ishte hapur lajmi se Sevilja po monitoronte futbollistin shqiptar të Bazelit si një alternativë për mesfushën. Por ky dëmtim i fundit e bën të pamundur transferimin, të paktën gjatë verës. Ndërkohë, pritet të mësohet se sa është shkalla e dëmtimit të futbollistit shqiptarë dhe nëse ai do të kthehet para shtatorit, kur Shqipëria të luajë ndeshjet e Ligës së Kombeve pasi për Panuçin, ai është një titullar i pazëvendësueshëm në mesfushën “kuqezi”.

Leave a Reply