Ramadani: Premtojmë se do japim më të mirën nga vetja

FC Shkupi sonte në stadiumin “Ajbroks” në Gllazgou do të zhvillojë ndeshjen e parë eliminatore të Liga Europa, kundër skuadrës së njohur skoceze të Gllazgou Renxhers, që gjithashtu rikthehet në skenën ndërkombëtare, kësaj rradhe me forca të reja dhe trajner të ri, në emrin e legjendës angleze dhe Liverpullit Stiven Zherard, njofton “infOSport.mk”.

Mirëpo edhe përkundër emrit të kundërshtarit dhe historisë së madhe të Renxhersit, trajneri i FC Shkupit, Zekirja Ramadani premton se skuadra e tij do të jap më të mirën nga vetja, me qëllim që në Shkup të kthehen me një rezultat sa më të favorshëm.

“Para stërvitjes u pa një emocion i mirë tek futbollistët dhe shihet në sytë e tyre se me padurim presin fillimin e ndeshjes, kushtet që i kishte ky stadium ishin me të vërtetë për tu marrë lakmi, dhe unë jam i bindur që këta futbollistë do të japin më të mirën nga vetja” – tha fillimisht trajneri i “bardhekaltërve” nga Çairi, Zekirja Ramadani.

Lidhur me formacionin që do zbres sonte në fushë, strategu i FC Shkupit tha se nuk ka edhe shumë dilema, pasi 99% e ka të qartë se me cilët futbollistë do i kundërvihet Renxhersit.

“Për momentin akoma qindpërqindtë jo, por 99% dihet formacioni, ndoshta vetëm në një pozicion jemi në dilemë, mirëpo do mundohemi që të nxjerrim 11-shin më të përgatitur fizikisht, psiqikisht dhe të bëjmë më të mirën që të kemi një rezultat sa më të favorshëm për ndeshjen e kthimit” – u shpreh Ramadani.

Nndeshja Gllazgou Renxhers – FC Shkupi starton në ora 20:45 dhe e njëjta do të drejtohet nga arbitri gjerman Kristian Dingert, të cilit do ti ndihmojnë bashkëkombasit e tij, Mike Pickel dhe Tobias Krist.

Leave a Reply