ZYRTARE, Mensur Nexhipi trajner i ri i Korabit

Legjenda e Prishtinës nga vitet e 80-ta dhe ish Slloga Jugomagnatit, tashmë FC Shkupit, Mensur Nexhipi është emëruar trajner i ri i skuadrës dibrane të Korabit, që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton ‘”infOSport.mk”.

Strategu shkupjan në këtë post do të zëvendësojë Agron Merkon, i cili një javë më parë për shkak startit të dobët në sezonin e ri dha dorëheqje nga posti i trajnerit te Korabi. Nexhipi me drejtuesit e skuadrës dibrane ka arritur marrëveshje që këtë skuadër ta udhëheq deri në fund të sezonit.

Korabi pas tre xhirove të para në Ligën e Dytë – Perëndim ka marrë vetëm një barazim, edhe atë në transfertën ndaj Labunishtit (0:0), teksa në dy ndeshjet e zhvilluara në terren vendas kishte pësuar disfata përballë Gostivarit (0:2), gjegjësisht Vëllazërimit (2:4).

Fitoren e vetme në sezonin e ri Korabi nën drejtimin e Agron Merkos e kishte arritur në kuadër të raundit të parë të Kupës së Maqedonisë, kur kishte eliminuar Borecin.

Aktualisht me vetëm një pikë, (po aq sa ka edhe Teteksi në pozitën e 9-të), Korabi mban pozitën e fundit në renditje, ndërsa këtë fundjavë që vjen ata para tifozëve të tyre do të mirëpresin Skopjen, ndaj së cilës skuadër trajneri Mensur Nexhipi do të bëjë debutimin e tij.

Leave a Reply